Takimi i pesëmbëdhjetë i Trupit Kombëtar Koordinues (TKK) për zbatimin e Ligjit për ndihmë juridike falas u mbajt në Shkup, me qëllim diskutimin e sfidave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit të ndihmës juridike falas në Maqedoninë e Veriut.
Me mbështetje të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, në ngjarje morën pjesë rreth 40 pjesëmarrës, ndërsa rreth 20 u bashkuan online. Pjesëmarrësit ishin përfaqësues nga institucionet kyçe (dhe anëtarë të këtij trupi) në fushën e ndihmës juridike falas, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe degët e saj rajonale dhe zyrat, Odën e Avokatëve, avokatë, organizata të shoqërisë civile dhe klinika juridike të autorizuara për të ofruar ndihmë juridike falas (NJF). Në ngjarje morën pjesë edhe gjykatës nga Gjykata Themelore Civile në Shkup dhe nga Gjykata Administrative.
Në fjalimin e tij hyrës, zëvendësministri i Drejtësisë, z. Alen Dereban, theksoi rëndësinë e qasjes në drejtësi për të gjithë, përmes sigurimit të ndihmës juridike falas për ata që nuk mund ta lejojnë atë. Qytetarët vulnerabël që nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një procedure, si për shembull për avokat apo për shpenzimet gjyqësore, do të marrin mbështetje nga shteti. “Detyrimi ynë është t’u sigurojmë të gjithë qytetarëve mekanizma gjyqësorë të përshtatshëm, të pavarur dhe të paanshëm. Kjo do t’u mundësojë qytetarëve në gjendje të vështirë financiare të marrin ndihmë juridike nga një avokat dhe të kenë një gjykim të drejtë. Në këtë mënyrë, tregojmë se kujdesemi për kategorinë vulnerabël të qytetarëve,” theksoi z. Dereban.
Diskutimet u fokusuan në disa çështje urgjente, duke përfshirë sfidat me të cilat përballet Departamenti për ndihmë juridike falas dhe degët rajonale gjatë zbatimit të Ligjit për ndihmë juridike falas. Pjesëmarrësit shprehën shqetësim për mungesën serioze të resurseve njerëzore në Departamentin për NJF, ku aktualisht vetëm një i punësuar mbulon një numër të madh detyrash, gjë që mund të rrezikojë efikasitetin e departamentit.
Konsulenti kombëtar prezantoi ndryshimet teknike të fundit për harmonizimin e Ligjit për NJF me Ligjin për ekspertizën. Gjithashtu, pjesëmarrësit theksuan nevojën për fillimin e një procesi të gjerë, transparent dhe gjithëpërfshirës për ndryshime të mëtejshme në Ligj (faza e dytë), në përputhje me konkluzionet e mëparshme të TKK-së.
U organizua gjithashtu diskutim i veçantë në panel i përkushtuar për ndihmën juridike falas për viktimat e veprave penale dhe tregtimit me njerëz, në bashkëpunim me projektin e BE-së dhe Këshillit të Evropës: “Fuqizimi i aktiviteteve kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedoninë e Veriut”. Dy anëtare të Komisionit të sapoformuar shtetëror për kompensimin e viktimave të veprave penale me dhunë ndanë informacione për punën e komisionit, dhe u diskutua më hollësisht roli i ofruesve të ndihmës juridike falas në mbështetjen e sistemit të kompensimit për viktimat.
Projekti “Për sistem të konsoliduar dhe më efikas të ndihmës juridike falas (NJF) në Maqedoninë e Veriut” është pjesë Turqinë”, program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, që zbatohet nga Këshilli i Evropës. Projekti do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Trupin Kombëtar Koordinues për ndihmë juridike falas me qëllim të arritjes së koordinimit dhe komunikimit më të mirë ndërmjet aktorëve kryesorë në sistemin për ndihmë juridike falas në të ardhmen.
Përmbajtja e mësipërme është marrë nga postimi origjinal, i disponueshëm në këtë link https://www.coe.int/mk/web/skopje/-/improving-the-free-legal-aid-system-in-north-macedonia-15th-meeting-of-the-national-co-ordination-body-gathers-in-skopje