Komisioni për kompensimin në të holla të viktimave nga vepra penale me dhunë

Lufta kundër tregtisë me fëmijë në Maqedoninë e Veriut: sigurimi i të drejtave dhe mbrojtja e fëmijëve viktima të tregtisë

Tregtia me fëmijë përbën një nga aspektet më shqetësuese të tregtisë me njerëz në këtë vend. Gjatë një periudhe prej 20 vjetësh, pjesa më e madhe e viktimave të identifikuara janë fëmijë, të cilët përbëjnë 70% të rasteve.  Shumica e këtyre fëmijëve janë në moshën nga 9 deri në 17 vjeç dhe vijnë nga kategori të rrezikuara. Gratë dhe vajzat dominojnë mes viktimave, me një përfaqësim të lartë të rasteve të shfrytëzimit të dyfishtë – seksual dhe punë. Mosha mesatare e fëmijëve-viktima është rreth 15 vjeç, duke e bërë këtë fenomen edhe më shqetësues. Këto të dhëna theksojnë nevojën urgjente për të parandaluar tregtinë me fëmijë, dhe fëmijëve viktima duhet t`u  sigurohet mbrojtje dhe qasje në drejtësi.

Porta e Hapur/La Strada në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Fondi Vullnetar i Besimit të OKB-së për format moderne të skllavërisë organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën “Lufta kundër tregtisë me fëmijë në Maqedoninë e Veriut: sigurimi i të drejtave dhe mbrojtja e fëmijëve që janë viktima të tregtisë”, e cila u mbajt më 22 nëntor 2024 në Shkup. Qëllimi ishte të sigurohej një forum për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave për avancimin e të drejtave dhe mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve që janë viktima të tregtisë me njerëz. E rëndësishme është përfshirja e shumë palëve të interesuara për zgjidhjen e kësaj çështjeje urgjente dhe pikërisht për këtë morën pjesë përfaqësues të institucioneve kombëtare, përfshirë Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Raportuesin Kombëtar, Komisionin për kompensim në të holla, përfaqësues të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare të angazhuara në parandalimin dhe luftën kundër tregtisë me fëmijë.

Diskutimi identifikoi mangësitë kryesore në mekanizmat aktualë për mbrojtjen e fëmijëve që janë viktima të tregtisë me njerëz, por gjithashtu ofroi propozime për forcimin e përpjekjeve kombëtare dhe rol konkret të palëve të prekura në fushat e parandalimit, mbrojtjes, ndjekjes penale dhe inkurajoi krijimin e partneriteteve në luftën kundër tregtisë me fëmijë.

Z. Gjoko Velkovski, Zëvendës Ministër për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, theksoi përkushtimin e Qeverisë, duke thënë: “Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, është e gatshme të zgjerojë kapacitetet e saj për strehim dhe mbrojtje të viktimave të tregtisë me njerëz, në bashkëpunim me të gjithë partnerët tanë për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes sociale në një kuptim të vërtetë të fjalës. Puna për parandalimin dhe mbrojtjen nga tregtia me njerëz, veçanërisht e fëmijëve, përbën një nga prioritetet tona kryesore si Qeveri. Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet pa kujdes dhe mbrojtje.“

Znj. Jasmina Dimishkovska Rajkovska, Drejtoreshë Ekzekutive e Portës së Hapur/La Strada Maqedoni, theksoi qasjen ndaj fëmijëve viktima dhe nevojën për mbrojtjen e tyre: „Porta e Hapur gjithmonë udhëhiqet nga parimi se çdo individ, veçanërisht fëmijët që janë viktima të tregtisë, kanë nevoja, përvoja dhe trauma të ndryshme. Qasja jonë individuale mundëson zhvillimin e planeve specifike për mbështetje, të përshtatura sipas rrethanave të çdo rasti. Kjo qasje është baza për sigurimin e ndihmës efektive dhe afatgjate.“

Znj. Susan Kopexh, anëtare e Bordit, Fondi Vullnetar i OKB-së për format moderne të skllavërisë, konfirmoi angazhimin e OKB-së: “Siç e dini, viktimat e skllavërisë moderne në të gjithë botën, përfshirë edhe këtu, shpesh janë të ekspozuara ndaj tregtisë me njerëz. Ne jemi krenarë që Fondi Vullnetar i OKB-së për format moderne të skllavërisë mund të mbështesë organizatat qytetare si Porta e Hapur për të vazhduar ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes afatgjate për viktimat e tregtisë me njerëz, për të siguruar një re integrim të plotë social dhe ekonomik. Ata i referohen nevojave të të mbijetuarve, veçanërisht fëmijëve, të cilët janë bërë pre e rrjeteve të organizuara të tregtisë me njerëz në vend.”

Znj. Sonja Bozhinovska Petrushevska, udhëheqëse e zyrës së IOM në Maqedoninë e Veriut, theksoi rëndësinë e parandalimit, veçanërisht te grupet e prekshme: „Kur flasim për martesat e detyruara dhe lypsarisë, do të doja të theksoj se fëmijët romë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj këtyre formave të tregtisë me njerëz. Emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, dhe veçanërisht gratë dhe vajzat, si dhe fëmijët e pambrojtur janë të rrezikuar nga forma të ndryshme të shfrytëzimit gjatë rrugëve emigruese. Nëse më pyesni se çfarë është më e rëndësishme në fushën e tregtisë me njerëz, do të thosha se tregtia me fëmijë nuk duhet të ndodhë fare, dhe për këtë arsye përpjekjet për parandalim janë jashtëzakonisht të rëndësishme.“

Edhe për kundër këtyre përpjekjeve, megjithatë sfidat mbeten të mëdha. Ekziston vetëm një strehë me kapacitete të kufizuara për akomodimin e fëmijëve dhe të rriturve viktima të tregtisë me njerëz.  Për më tepër, mos qëndrueshmëria financiare, koordinimi i dobët mes institucioneve dhe njohja e pamjaftueshme e fëmijëve si viktima të tregtisë janë disa nga problemet më të mëdha me të cilat përballemi.

Qasja në drejtësi për viktimat e tregtisë me fëmijë nënkupton jo vetëm gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të veprës, por gjithashtu shqiptimin e një sanksioni të përshtatshëm që do të ketë një efekt frikësues për përsëritjen e veprës nga ana e të akuzuarve, por edhe për të tjerët në shoqëri. Saktësisht, qasja në drejtësi për viktimat e tregtisë me fëmijë nënkupton gjithashtu dhënien e një kompensimi të drejtë si një dëmshpërblim për frikën, dhimbjen dhe vuajtjen shpirtërore të fëmijës viktimë.

Përballja me tregtinë e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut kërkon një qasje shumëdimensionale, duke përfshirë mbrojtje më të mirë, rehabilitim dhe re integrim të viktimave, si dhe një përpjekje të bashkuar për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të parandaluar faktorët socio-ekonomikë që mundësojnë tregtinë, veçanërisht me fëmijët. Po ashtu, rekomandimet kryesore janë si në vijim.

Të planifikohen dhe shpërndahen fondet buxhetore për përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve akomoduese për viktimat e tregtisë me njerëz, si dhe për zbatimin e Programit për ndihmë dhe mbështetje gjatë re integrimit të viktimave të tregtisë me njerëz, duke përfshirë edhe për qëndrueshmërinë financiare të plotë të Qendrës për viktimat e tregtisë me njerëz.

Rritja e aktiviteteve parandaluese. Arsimimi/edukimi i fëmijëve, prindërve dhe komuniteteve lokale për rreziqet nga tregtia dhe shfrytëzimi, duke përfshirë edhe shfrytëzimin online, duhet të jetë prioritet. Me fushata dhe edukim, do të ndihmojmë në njohjen e hershme të situatave të rrezikshme, si dhe në ndarjen e informacioneve praktike për mënyrën se si të raportohen incidentet dhe të kërkohet ndihmë.

Të koordinohen dhe forcohen përpjekjet e ndërsjella të institucioneve kërkimore, sociale, shëndetësore dhe të tjera që janë të përfshira në identifikimin e viktimave të tregtisë me njerëz, veçanërisht fëmijët.

Si organizatë, Porta e Hapur/La Strada Maqedoni ka punuar për më shumë se dy dekada në parandalimin e tregtisë me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave. Jemi të përkushtuar në parandalim, ofrimin e shërbimeve të drejtpërdrejta për viktimat, përfaqësim për të drejtat e tyre dhe përmirësimin e kuadrove ligjore dhe politike në vend.

Përmes aktiviteteve tona në strehimore, arritëm të mbështesim dhe mbrojmë më shumë se 200 viktima potenciale të tregtisë me njerëz. Që nga viti 2006 në strehimore, Qendra për viktimat e tregtisë me njerëz, siguron ndihmë psikologjike dhe sociale të vazhdueshme, mbështetje ligjore, shërbime shëndetësore dhe përforcim ekonomik.

Marrë nga

Skip to content