BE-ja dhe Këshilli i Evropës po e ndihmojnë Komisionin për kompensim në të holla për viktimat e veprave penale me dhunë në Maqedoninë e Veriut që t’i informojë aplikuesit për procesin e shqyrtimit dhe aplikimit për kompensim shtetëror për viktimat e veprave penale me dhunë, përfshirë edhe viktimat e tregtimit me njerëz. Janë përgatitur materiale informuese për aplikuesit në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze që mbulojnë temat kryesore, përfshirë të drejtën për kompensim, mënyrën e paraqitjes së kërkesës dhe shumën maksimale që shteti mund të ndajë për padrejtësinë e pësuar. Broshurat ofrojnë udhëzime kyçe për llojet e veprave penale për të cilat mund të kërkohet kompensim. Ato shpjegojnë në detaje kriteret që viktima duhet të plotësojë, procedurën dhe llojet e dëmeve për të cilat mund të kërkohet kompensim. Gjithashtu, i kushtohet vëmendje e veçantë specifikave që kanë të bëjnë me fëmijët viktima ose viktimat me aftësi të kufizuara.
Kjo nismë vjen pas miratimit të Ligjit për pagesën e kompensimit në të holla për viktimat e veprave penale me dhunë në nëntor të vitit 2022, që rezultoi me krijimin e Komisionit për kompensim në të holla për viktimat e veprave penale me dhunë në shkurt të vitit 2024. Detyra e tij është të shqyrtojë dhe miratojë kërkesat për kompensim shtetëror për viktimat e veprave penale me dhunë, përfshirë edhe viktimat e tregtimit me njerëz. Në këtë kuadër, Komisioni miratoi Rregulloren dhe formularin për aplikim. Për të ndihmuar viktimat në këtë proces, u zhvilluan materiale informuese me mbështetjen e projektit të BE-së dhe Këshillit të Evropës “Fuqizimi i aktiviteteve kundër tregtimit me njerëz në Maqedoninë e Veriut”.
Këto përpjekje synojnë të mbështesin zbatimin e Konventës për Veprim Kundër Tregtimit me Njerëz, e cila është marrëveshje ndërkombëtare kyçe për mbrojtjen dhe ndihmën ndaj viktimave të tregtimit me njerëz. Neni 15 i saj parasheh që çdo palë nënshkruese e Konventës do të miratojë masa ligjore ose të tjera që mund të jenë të nevojshme për të garantuar kompensimin për viktimat, në përputhje me të drejtën e saj të brendshme, shembull përmes formimit të fondit për kompensim të viktimave ose masave ose programeve. Për Maqedoninë e Veriut, Konventa hyri në fuqi më 1 shtator 2009.
Projekti “Fuqizimi i aktiviteteve kundër tregtimit me njerëz në Maqedoninë e Veriut” Fuqizimi i aksionit kundër tregtimit me njerëz në Maqedoninë e Veriut është pjesë e iniciativës së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.
Marrë nga