Cila është procedura e realizimit të së drejtës për kompensim në të holla?
Procedura fillon duke parashtruar kërkesë me shkrim pranë Komisionit për kompensim në të holla (në tekstin e mëtutjeshëm: Komisioni) i cili vendos mbi kërkesën.
Kërkesa mund të dorëzohet drejtpërdrejt nëpërmjet arkivit të Ministrisë së Drejtësisë ose të dërgohet me postë ose në formë elektronike.
Kontakt: Ministria e Drejtësisë, rr. “Dimitrie Çupovski” nr. 9, 1000 Shkup
Adresa elektronike: contact@komisijazanadomestoknazrtvi.mk
Telefon +389 23116 493 lok.119
Për viktimat fëmijë/persona me aftësi veprimi të kufizuar ose të hequr
Nëse viktima është fëmijë ose nuk ka aftësi veprimi, kërkesa do t’i paraqitet Komisionit nga prindi, kujdestari ose nga autorizuesi.
Prindi ose kujdestari për ndihmë dhe informacione mund t’u drejtohet shoqatave të qytetarëve, të regjistruara për dhënien e ndihmës juridike falas ose njësive rajonale të Ministrisë së Drejtësisë.
Çfarë duhet të përmbajë kërkesa për kompensim në të holla?
Më së miri është që kërkesa të parashtrohet në një formular të cilin mund ta gjeni në këtë material infromativ ose ta merrni nga zyrat e shoqatave të qytetarëve të regjistruara për dhënien e ndihmës juridike falas ose në njësitë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë.
Kërkesën mund ta dorëzoni në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik ose në gjuhë tjetër zyrtare të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj ose në gjuhën që e kuptoni.
Nëse përdorni një kërkesë tuaj, kini kujdes në elementet e domosdoshme më poshtë, të cilat duhet t`i përmbajë kërkesa:
- të dhënat personale të parashtruesit të kërkesës, gjegjësisht të viktimës, nëse nuk është i njëjti person me parashtruesin e kërkesës,
- përshkrimi i veprës penale (data, vendi dhe mënyra e kryerjes),
- datën kur është regjistruar ose raportuar kryerja e veprës penale në polici ose prokurori publike,
- përshkrimi i pasojave nga vepra penale,
- pretendimet nëse viktima është në dijeni se kundër kryerësit të veprës penale po zhvillohen procedurë penale, para cilit organ kompetent, si dhe numri nën të cilin po udhëhiqet lënda,
- deklaratë për realizimin e kompensimit të njohur me ligj të realizuar sipas bazave të tjera juridike, dhe
- llojin e kompensimit që e kërkon viktima.
Me kërkesën për fillimin e procedurës për realizimin e kompensimit, dorëzohen shkresa fotokopje dhe bëhet këqyrje në dokumentet origjinale ose dokumentet e verifikuar të më poshtme:
- dokument për identifikim personal,
- prova e shtetësisë, vendbanimit ose vendqëndrimit, me përjashtim të viktimës pa shtetësi ose viktimës që është person i paevidentuar në librin amë të të lindurve,
- dokument përkatës nga policia ose prokuroria publike se vepra penale është regjistruar ose raportuar,
- prova (dokumentacion mjekësor) nga i cili rezulton se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore, dëmtime të rënda të shëndetit mendor ose fizik,
- certifikatë nga libri amë i të vdekurve, nëse vdekja e viktimës ka ndodhur si pasojë e veprës penale,
- prova për paaftësinë për të punuar në përputhje me rregulloret për sigurim pensional dhe invalidor,
- prova se viktima indirekte i ka paguar shpenzimet e varrimit,
- deklaratë e nënshkruar me dorën e vet për mos realizimin e kompensimit të njohur me këtë ligj të realizuar mbi baza të tjera ligjore,
- të dhënat për llogarinë e tij personale të transaksionit, dhe
- dokumente të tjera të cilat i posedon viktima, e me të cilat dëshmohet përmbushja e kushteve për realizimin e kompensimit.
Çfarë shpenzimesh kam në këtë procedurë?
Në këtë procedurë nuk paguhen taksat administrative.
Për shtetasit e huaj/persona pa shtetësi
Keni të drejtë për përkthyes gjatë gjithë procedurës, ndërsa shpenzimet mbulohen nga shteti.
Ndaj dokumenteve që do të dorëzoni në gjuhë të huaj, është e nevojshme të bashkëngjitni përkthim të verifikuar në gjuhën maqedonase. Shpenzimet e përkthimit mbulohen nga shteti. Të njëjtat duhet të ceken në kërkesën tuaj që t’ju kompensohen nga Komisioni.
Çfarë duhet pasur kujdes gjatë procedurës?
Komisioni, pas pranimit të kërkesës suaj me dokumentet e nevojshme, do t’ju lëshojë vërtetim për pranim të kërkesës, ku është cekur personi për kontakt që është kompetent për procedim dhe afati deri kur do të merret vendimi, nëse është e mundur.
Nëse, gjatë zhvillimit të procedurës për relaizimin e të drejtës së kompensimit në të holla, realizoni një të drejtë sipas një ligji tjetër, ju duhet të njoftoni Komisionin në afat prej shtatë ditëve nga realizimi i së drejtës, e gjithashtu duhet të dorëzoni dëshmi për të drejtën dhe kompensimin e realizuar.
Gjatë procedurës, me përjashtim, Komisioni mund t’ju thërrasë që të jepni deklaratë për të cilën përpilon procesverbal ose shënim zyrtar. Kërkoni kopje të asaj që keni deklaruar dhe që e keni nënshkruar.
Nëse kërkesa e parashtruar nuk është e plotë, Komisioni do t’ju thërrasë në afat prej 30 ditëve nga data e pranimit të njoftimit, që ta korrigjoni ose plotësoni kërkesën me provat, të cilat janë të nevojshme për të marrë vendim.
Gjatë gjithë procedurës, Komisioni është i vëmendshëm ndaj të dhënave tuaja personale që i keni dhënë dhe obligohet të sigurojë fshehtësinë dhe mbrojtjen e tyre nga keqpërdorimi.
Cili është afati i fundit për të parashtruar kërkesën?
Kërkesa parashtrohet më së voni në afat prej tre vite nga dita kur është kryer vepra penale të cilën e shkruani në kërkesën për kompensim.
Nëse për arsye shëndetësore nuk jeni në gjendje të parashtroni kërkesën brenda tre vjetësh nga dita në të cilën është kryer vepra penale, që ceket në kërkesën për kompensim, kërkesa duhet të parashtrohet në afat prej gjashtë muajve, nga dita në të cilën arsyet për të cilat nuk keni qenë në gjendje të parashtroni kërkesën kanë pushuar së ekzistuari, e më së voni në afat prej pesë viteve nga dita e kryerjes së veprës penale.
Për viktimat fëmijë/personat me aftësi veprimi të kufizuar ose të hequr
Nëse viktima është një fëmijë ose një person me aftësi veprimi të kufizuar ose të hequr, ndërsa prindi ose kujdestari nuk ka paraqitur një kërkesë për kompensim brenda tre viteve nga dita kur është kryer vepra penale që është cekur në kërkesën për kompensim, afati prej tre vitesh fillon të rrjedh nga dita kur personi mbush 18 vjet ose nga dita kur viktima arrin moshën madhore është raportuar kryerja e veprës penale ose nga dita kur personit i rikthehet aftësia e veprimit.